7 Maj, 2022 - 4:00 pm
Poezi nga Herman Çuka
dy zogj këndojnë
mbi një selvi
…
dy zogj të hirtë!
përse nuk janë të bardhë,
përherë kam pyetur veten?
poshtë pemës
nën barin e blertë lëndinë,
prehet një grua pa emër
“e dashuruara me diellin”
kaq, është gdhëndur mbi atë
gur mbi kryet
në vënd të kryqit,
rrethuar prej dredhkëzave
si këmbankat
sikur kisha të voglat
e fatinave dalë nga përrallat
e vëllezërve Grin;
sikur duan t’a fshehin të bukurën nga i tmerrshmi
mjekërkaltri
dy zogj të hirtë këndojnë
mbi atë selvi
të bardhë janë pëllumbat
që sjellin degën e paqes
të hirta guguçet që këndojnë
për dashuritë e mbetura peng
midis detit e qiellit
blu, për dashurinë e diellit
…
në të vërtetën e përditshme dashuritë e gabuara,
bëjnë gjëra të paimagjinuara
që si shkruajnë dot
as baladat…
*
sonte bien yje dhe në lokalin
poshtë shtëpisë time, këndohet një baladë bluzi
pa emër / KultPlus.com