4 Janar, 2018 - 2:40 pm
Poezi e shkruar nga Ndriçim Ademaj.
Djelmosha,
Dashurohuni me vajza nga qytete të largëta…
Dashurohuni rrugëve që nuk do t’i shkelni më kurrë,
Dashurohuni në adresa që harrohen lehtë…
Më kujtohet takimi i parë,
Kur u ndalëm n’mes të rrugës e u puthëm si të marrë
makina të ngutura na fërshëllenin
shoferët na shanin nënën
por për ne kjo ish veç festë…
Djelmosha,
dashurohuni me femra që s’kanë lexuar asnjë libër,
për të cilat asnjë libër nuk është shkruar…
Nuk e harroj letrën e saj të parë
e kishte filluar mallshëm, me “I dashur burrë”
pastaj u ndamë nja katër herë
dhe nuk më shkroi më kurrë…
Dashurohuni teatrove ku perdet bien vetëm një herë
kafeneve të largëta
ku kamerierët s’do të presin
që në krahun tuaj të djathtë të jetë ajo
flokëlëshuar
si vdekja e ëmbël, e ngadaltë…
Dashurohuni, djelmosha
se të shtunat një ditë s’do t’ju thonë më asgjë,
nuk do t’vraponi mbas autobusëve të fundit
si të çmendur
për të shkuar në kryeqytetin e afërt
tek vajza që ju pret ulur me kapelë në kokë,
një ditë nën kapelën e saj do të pikojë
shiu
i një dhjetori tjetër…
Mbaj mend gjithçka,
edhe ato që dukej se i kisha harruar
me kthehen herë pas here si letra dërguar askund,
dashuria një ditë shkon,
por malli t’i ha ditët një nga një
si krimbi kokën e krevatit të zjarrtë
ku do t’shkrryheni të vetmuar
me ndonjë femër tjetër…
Djelmosha,
bëni çka të bëni,
dashurohuni me vajza nga qytete të largëta…