Banja e grave

21 Mars, 2021 - 2:35 pm

Poezi nga Nerimane Kamberi

Janë ulur te shkallët, fërkojnë nyjet, qafën
Uji sot qenka edhe më i nxehtë se dje, thojnë
Avulli krijon një atmosferë intime në këtë hamam modern
Si tymi në sallonet e opiumit,
Piktura të gjalla të reprezentacionit të orientit
Trupa që kanë duruar shumë, që nuk mërziten për kodet e bukurisë
E për shpirtin e tyre, a pyesin ?
Zëri i Armendit dëgjohet, u shërova, këndon ai
Gratë futën më thellë në ujë, fërkojnë krahët, barkun, kofshët
Duan të lëjnë gjithë lodhjen, dhimbjen këtu, skuqen, djersiten
Hynë nga dy, nga tri, shoqe, motra, kunata, sa muhabetin e kanë,
“Dedikodi” thoshte daja im, i cili shkoi para dy dite, “tetë ishim, tre mbetëm” tha nana tu qajt në telefon.
Edhe shoqja ime shkoi; lexoi, shkroi, e shkoi, grua në mes grave, zë në mes zërave
Shkoi pa bë zë, pa lamtumirë,
Shkroi për nanat, bashkëshortet, zyshat, zonjat, si ishte vetë, shkoi,
“në një botë më të bukur se kjo e jona”, prapë Armendi.
Vdekja e ftohtë, e mua faqet po më digjen flakë, hall m’u kanë bë.
Zambaka të bardhë mbi varr, por unë dua të ti kujtoj shallat me lule, rruzet plot ngjyra,
Se sot eshtë pranverë, kanë çelur thanat, edhe pse bie borë, “jallan dynja”.
Pse gjithë kjo melankoli, s’është natë dimri.
Unë zhytem edhe më shumë në këtë ujë që bëhët i padurueshëm por dhimbja ëshë edhe ma e padurueshme
“Kujdes, mos rri shumë” me thonë shoqet e panjohura, ah ky solidaritetit jonë,
As nuk shpërlahen, lëkurën e duan kështu, të zbutur, pak butësi, pak dashuri.
I shërojnë duartë e plasaritura e zemrën e plastë.
Dal nga uji, i shkoi pas grave, vijmë nesër, vijmë edhe njëhere,
fjalët që mbetën pa thënë i fusin në xhepin e bademantelit,
aty te çelsi e te orari i tretmaneve / KultPlus.com

Të ngjajshme