Banorët e qytetit tim

25 Mars, 2019 - 11:10 pm

Poezi nga Edi Shukriu

Dielli mbi Pashtrik
i Zjarrtë
përgjak qiellin e dridhmuar

Qytet i ndriçuar i udhëkryqeve
ç’festë feston?

Mirë e di se fitorja s’vjen
pa gjak e gjakderdhje – 
thellë në tokë janë
nisma që s’u harrua kurrë
e vajtimet e nemitjet
që s’i zunë dot arkivat

Sa foshnje i ke gurthemel
Qyteti im

Sa nëna i ke varrosur
në flijim

Sa palë sy t’u mbyllën
duke jermuar ujin e Shatërvanit
që robëron shpirtin
kudo e kahdo që të jesh

Mbi çdo rrugë e rrugicë
u rrijnë mbi kokë
frymët e frymëmarrjet e kohërave
që shtrihen të shtrira
me Urti mbi supet
të gjumit të shkëmbinjve
e flauron mbi lerana

Qetë shfletohet libri i kohës
se 
monumentet janë guri
dhe buka
djersa 
dhe shpresa
e banorëve të qytetit tim

Sunduesit, po,
i merr furtuna

Dielli shikon në perëndim
se si vdekjen e mashtron

(NËNQIELLI, Rilindja, Prishtinë, 1990)

Të ngjajshme