23 Nëntor, 2021 - 11:59 pm
Poezi nga Dea Basha
Në mbrëmje
Një klithmë e ngrirë
Ma mbush ngrohtësinë e fytit
Plot zjarr të bardhë
Rreze blu të akullta
Më mbush radioaktivitet
Ekspozimi ndaj së shkuarës
Në të shkuarën
Thërrmohen kujtimet
Si legjenda dashurie të marinarëve
Plot shkumë dallgësh
Elektricitet shkëlqyes ngjalash
Më mbush radioaktivitet
Ekspozimi ndaj zemrave të fundosura
Në zemër
Bashkë vallëzojmë
Me gjymtyrë të copëtuara
Të shpresave të djeshme
Dhe gjaku pikon solemnisht
Mbetjet e fundit të Rutenit
Nga faji i pakënaqur
Në faj
Lutjeve u mungon qetësia
Por jo radioaktiviteti
As ftohtësia e netëve të zymta
As errësimi i oqeaneve të humbura
As kujdesi jot
Kur parashikon vdekjen time
Në vdekje
Qiejt jehojnë
Pa dëshirë
Të shpërfillur në vizionet e së vërtetës
E unë vagëlloj si kandil
Aty ku sadistët sovranizojnë
Mbi pasionet për gjakderdhje
Më premtove që guri
Do të zgjasë më shumë se zemra
E dikujt që bredh mes fajesh
Veshur me të bardha
Por unë ende jetoj
Në mbrëmje, e zhveshur
Në të shkuarën, e verbër
Ndërkohë që ti po largohesh
Me të kuqe
…me të kuqe / KultPlus.com