17 Dhjetor, 2021 - 12:41 pm
Konkursi për edicionin e katërt të konkursit mbarëkombëtar të poezisë “KultStrofa”, tashmë është mbyllur, dhe organizatorët janë duke punuar për mbrëmjen finale të këtij konkursi, që tashmë konsiderohet si një ndër konkurset më serioze në nivel mbarëkombëtar.
Ardianë Pajaziti drejtoreshë e KultPlus, ka njoftuar për prurjet e këtij edicioni, e cila ka vlerësuar se edhe ky edicion ka një përfshirje të poetëve nga të gjitha trojet shqiptare, por që sikurse edhe edicionet e shkuara përfshinë edhe poetët nga diaspora.
“Është kënaqësi që në edicionin e sivjetmë kanë arrite poezi nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi e Lugina e Preshevës, kurse nga diaspora, këtë vit kemi poetë që kanë aplikuar nga shtetet si: Gjermania, Spanja, Italia dhe Zvicra”, ka thënë Pajaziti.
Ajo ka njoftuar se janë duke u bërë përgatitjet e fundit për mbetjen e ceremonisë së edicionit të katërt të këtij konkursi poetik, përderisa tashmë është përzgjedhë edhe juria profesionale.
“Juria profesionale e këtij edicioni është në përbërje të Sali Bashotës, kryetar i jurisë, dhe Nerimane Kamberit e Arbër Selmanit”, ka thënë Pajaziti.
Gjatë javës që vjen do të bëhet e ditur lista prej dhjetë finalistëve, sikurse që do të bëhet e ditur edhe data e ceremonisë së ndarjes së shpërblimeve, ceremoni që do të mbahet në KultPlus Caffe Gallery./ KultPlus.com