Berberi

14 Maj, 2020 - 11:30 pm

Poezi nga Dritëro Agolli

Shumë njerëz ka qethur berberi në jetën e gjatë
Atje në floktoren e kthesës së rrugës “Naimi”,
Shumë vdiqën fatmirë a të ngratë,
Shumë u vranë, u burgosën dhe jetën u mori mërgimi.

Qethi djaj e fisnikë e kusarë dhe mjaft deputetë,
Dijetarë e memurë, kapterë e plot gjeneralë,
Presidentë të shkuar e të ardhshëm, dramaturgë e poetë,
Kardiologë e xherahë e dentistë që shkulin dhëmbë e dhëmballë.

Ah, nga gjithë mullarët me koka, ç’na mbetën!
Po të bënte berberi një album nga kokët e qethura,
Sigurisht, do t’i hapej një nam i madh tërë jetën
Si poetit të shquar në librin me vjersha të zgjedhura:

“Ja, ky flok i takonte filan presidenti,
Filan presidenti që vdiq, a mbaroi i burgosur.
Këto balluke i mbante kusari i madh i qytetit,
Ndërsa ato më tutje i kishte një pusht i brengosur”.

Kështu do lexonim të zgjedhurat flokë si libër
Nga vetitë e prodhimit të leshit në kokat shqiptare.
Lere, lere! Berberi vërtet do bënte një Bibël,
Po të kishte në kokën e tij dy-tri pare.

Të ngjajshme