23 Janar, 2022 - 7:05 pm
Poezi nga Andon Zako Çajupi
Gjithë vendet gëzojnë,
ti, Shqipëri, pse pushon?
Gjithë njerëzit këndojnë,
ti, shqiptar, pse rënkon?
Gjithë duan larine
dhe pa të njeriu s’rron;
ti, shqipëtar, Shqipërinë
në zgjedhë si e duron?
Zgjohuni, o shqipëtarë,
erdhi dita për liri!
Zini luftë me barbarë,
përpiqi për Shqipëri!
Të krishter’ e myslimanë,
të tërë një sua kemi;
gegë, toskë, dibranë,
gjithë shqiptarë jemi.
Mblidhuni te bëjmë benë,
të gjithë dorë për dorë:
Të duamë mëmëdhenë,
edhe malet me dëborë.
Që ditën që u shkeli
robëria dhe gjer sot
nukë bën më bar Dhëmbeli
dhe Tomori qan me lot.
Male me krye në qieli,
si duroni robërinë?
Ju që shihni drit’ e diell,
pse s’ndrini dhe Shqipërinë?
Ku janë vaftet e parë,
që kini dhënë yrnek?
Ku jini, o shqipëtarë,
pse s’dëgjohet një dyfek?
Apo humbi trimëria,
apo s’doni mëmëdhenë?
A u shua Shqipëria,
që ka pjellë Skënderbenë?
Pse rrini lidhur me lak?
Pse shpëtoni vënd’ tuaj?
apo s’u mbeti më gjak,
se e derdhtë për të huaj?
Mirri pushkëtë në duar
edhe bëni besa-besë:
Shqipëria do shpëtuar,
kokë turku të mos mbese!/ KultPlus.com