Bijë të epokës

30 Maj, 2018 - 3:30 pm

Poezi nga Wislawa Szymborska, përkthyer nga Elida Buçpapaj.

Jemi bijë të epokës,
epoka është politikë.

Të gjitha bëmat e mia, tonat, tuajat
bëmat ditore, natore
janë bëma politike.

Të pëlqen ty apo ajo,
genet e tua kanë një të kaluar politike,
lëkura jote ka një pigment politik,
sytë e tu një pamje politike.

Ajo që ti flet ka një rezonancë,
ajo që ti prek ka një valencë
në një mënyrë a një tjetër politike.

Deri edhe në fusha, në pyje
ti bën hapa politikë
në një sfond politik.

Edhe poezitë apolitike janë politike,
e në lartësi ndrin hëna,
diçka jo më hënore.
Të jesh a të mos jesh, kjo është çështja.

E çfarë çështjeje, përgjigjiu temës,
Pikërisht çështje politike.

Nuk duhet madje të jesh as krijesë njerëzore
për të fituar një domethënie politike.
Mjafton të jesh naftë,
ushqim i bollshëm apo material i riciklueshëm.
Apo të jesh edhe tavolina e bisedimeve, mbi formën e së cilës
është diskutuar për muaj të tërë:
të bisedohet për jetën dhe vdekjen
në një tavolinë të rrumbullakët apo katrore.

Ndërkohë njerëzit vdisnin,
kafshët cofnin,
shtëpitë digjeshin,
fushat mbeteshin djerrë
si në kohët e shkuara
e më pak politike./ KultPlus.com

Të ngjajshme