Burrat e martuar

20 Dhjetor, 2024 - 12:22 pm

Arbër Selmani

Burrat e martuar të pickojnë ku duhet
Të provokojnë, me buzët e tyre të forta
Të përkthejnë në gjuhën që e kupton trupi i tyre.

Burrat e martuar të shkruajnë orëve të vona
Duan mish, gjak, premtime, fshehtësia është pjata e tyre
e preferuar
Janë ata
Shkolla më e suksesshme e ledhatimeve.

Burrat e martuar kanë duar delikate
Vishen zotërueshëm, lëngun e gojës si kripa e përzier
me dëshirë
Dalldisen poshtë këmbëve tona të depiluara.

Burrat e martuar përplasen në kisha, në xhamia
Recitojnë Kuranin, dëgjojnë hytben, këndojnë Santa Luçia
Më pas vijnë dhe na adhurojnë kofshët
Duart, hapësirën brenda veshëve, qafën, sqetullat
Vetullat, gjinjtë, kilogramët, na pijnë vajin e flokëve.

Burrat e martuar gënjejnë proporcionalisht
Kanë fëmijë, të flasin edhe ty sikur një fëmije
Shtrëngojnë kravatat, kanë muskulaturë perfekte.

Burrat e martuar e zgjasin më shumë
Puthjen, paralojën, përgjigjjen peng nën qiellëz
Të përthekojnë, të copëtojnë
Si qindra enë të thyera në kuzhinë.

Burrat e martuar janë si fëmijët e adoptuar
Të humbur, mashtrohen me pak, në pritje të telefonatës
biologjike
Të dëmtuar, si ndërtesa luftërash, shemben prej plasaritjes
më të cipur.

Burrat e martuar defilojnë, normalisht, burrërinë
Mustaqet e tyre na fërkojnë egon
Shpërfaqen të pazakontë, i shtrëngojmë si kartolinat që
rrezikohen të zhduken
Na duan, nga larg rrugën e prejnë për neve
Neve që nuk jemi të martuar me ta.

Burrat e martuar janë inxhinierë
Na joshin në laboratore, na penetrojnë duke buzëqeshur
Llogarisin kaloritë, degustojnë verën e kuqe, gjunjëzohen
për një gjoks si i yni.

Burrat e martuar, me raste dashurojnë
Pështyjnë mbi neve me guximin e një diktatori
Zhurmojnë shumë, janë të bezdisshëm
Si foshnjet e zbehta.

Burrat e martuar bartin mbi supe faje
Ne vdesim t`i shërojmë duke lëpirë zemrat e tyre
Zemra të turbullta si reparte spitalesh.

Burrat e martuar dashurojnë gratë e tyre
Tutje 20 gra tjera dhe shpesh ndonjë gjini tjetër
Studimet, raportet, të gjitha e konfirmojnë
Gjithçka e bëjnë mistershëm, edhe jargavitjen
Edhe seksin që qetësohet si frymëmarrje e përhumbur.

Burrat e martuar janë si tul buke
Të trashë, lehtë të shfryrë, të pompuar prej dëshirës
për t`u ngrënë
Kafshojnë të pasmet tona si lepuj të uritur
I duam të pangopur, papritur./ KultPlus.com

Të ngjajshme