Buza e liqenit

27 Gusht, 2017 - 2:09 pm

Poezi e shkruar nga poetja Naime Beqiraj.

Një shenjë si s’të mbeti oj buzë e liqenit
Me çerek fuqie, me shpirtin mbush farmak
Me maje gishtërinjsh, s’të lëndoi tek t’shkeli
Kallamishtet, krahin e kthejnë pak, veç pak

M’prapon ëndërrën nji melankoli
Një dorë mjegull, diellin seç e pran’
E heq frerin trisht, e heq kur bjen shi
Athue hënën herët, ku ka me e nxanë

E kishin lënë diellin pas krahit
E kishte lënë të shiheshin prap
E pagojë siç ishte, fal i kish mallit
-Për ty dyndem, marr rrugë, vrap

Si frymëzim gjoli hapet breg liqeni
Si i vogli peshk, trisht e pak i mjerë
Ndjenjës sate, po nuk i erdh fundi
E harruar qoftë, pa u luajtur me mend

Si janë harruar hijet kallamishte
N’kërthizë t’Arbërisë, a din çfarë tjerr
Bashkë me të – hënën mjellmërishte
Kur deheshin të çelura krejt si pa u ndjerë

Dridhen mjellmat dridhen, si në dritë skene
Nuk harrohet ky vend, e as kallinjtë
Ecja e tyre sonte, është edhe pak solemne
Një trastë malli i tretur, më nuk i mërzit

Hijet pa të nuk janë këngë të humbura
Mbi molin e vogël sa e ftohtë pritja
Të bukura, si dashuritë e pamundura
Mbi pasqyrë të vakët, ku bën shtrat dremitja

O nosit krenar pendlat t’i tund vera
Blerimi i çerdhes i ik nganjëherë
Drinit plak të Zi, dallgët i ndjell era
Përbri kallamishtesh, syrin pas s’e kthen

Edhe ajri ndërron kur s’kthehet nositi
Në kalendar viti është prap më i madh
Nuk i ftohet, jo, për të gjallë shpirti
Uliksi që një ditë, do të kthehet prap

Veç mjegulla e vjeshtës e ka shprishur pak
Valet nuk janë të qeta, asnjë pas s’i vjen
Prej të Shën Naumi, ajrin e merr era
Liqeni as dashuria s’fundosen përjetë

2017
Liqeni i Strugës, foto: NB

Të ngjajshme