6 Korrik, 2020 - 4:28 pm
Poezi nga Pablo Neruda
Në shqip: Erion Karabolli
Po të duash më lër pa bukë
edhe pa ajër më lër, veç
mos më lër pa buzagazin tënd.
Mos më lër pa trëndafilin,
pa shigjetën që aq ëmbël shpon,
pa ujin që papritmas
shpërthen te buzagazi yt,
si dallgë e beftë bime
që të gjallëron.
I paepur luftoj dhe kthehem
me sytë këputur së lodhuri
sa herë që shikoj
tokën që nuk ndryshon,
por dije se buzagazi yt
në qiell ngrihet e më kërkon
e atëherë para meje
hapen gjithë dyert e jetës.
E dashur, në çastet
më të errëta derdhet
buzagazi yt, e nëse befas
sheh se gjaku im lag
gurët e rrugës,
qesh, se gazi yt
në duart e mia do të jetë
si një shpatë e vërtetë.
Buzë detit në vjeshtë,
le të ngrihet gazi yt
si një ujëvarë perçeshkumë,
e dashur, buzagazin tënd
e dua në pranverë
si edhe lulen që mezi pres,
lulen e kaltër, trëndafilin
e atdheut tim gjëmimtar.
Qeshu kur bie nata
qeshu kur vjen dita,
qeshu kur ka hënë,
qeshu me rrugët
e shtrembra të ishullit,
qeshu me këtë djalë
të hutuar që të dashuron,
po sa herë që unë
hap e mbyll sytë,
sa herë që hapat e mia dëgjon,
pa bukë më lër po deshe,
pa ajër, pa dritë, pa pranverë,
veç jo pa buzagazin tënd,
sepse pa të nuk jetoj dot.