Çamëri, dhembja ime

4 Shkurt, 2023 - 1:00 pm

Poezi nga Avni Dehari

Çdo mbrëmje vdesim,
Nga plagët e Tua,
Çdo mëngjes lindim
Me mallin për Ty,
Çamëri!

Midis stuhish,
Në udhëkryq të takova,
Çarlat e gjoksit Tënd
Ma ngjethën mishtë,
Memec mbeta,
E baladën për Mollën e Kuqe
Në vargun e përgjakur ta fsheha!

Buzëplasura Çamëri,
Vajtoret
Flokëthinjura,
Faqeçjerra,
Mbi kurmin Tënd,
Një grusht dhe në cep shamie,
Natë e ditë ta bëjnë gjëmën!

Kobzeza Çamëri,
S’paska varg që t’i numëron plagët!
Ku ta gjej atë varg që t’i mëlcon dhembjet!

Gjëmëmadhja Çamëri,
Në balljen ngjyrë deti,
Në jelekun fletë shqiponje,
Në palën e fustanellës,
Palë flamuri,
Mallkimi,
Mallkthimi,
Lëmashk të kanë zënë!

Çamëri,
Dhembja ime,
Altar t’u bëfsha
Ditën e martirizimit,
Përkrah Thesprotit
Në Dodonë!

E shenjta Çamëri,
Që të nesërmen,
Në tokë e në qiell
Diellit pellazg do t’i falem
Për tri ditët e afshit të zemrës,
Për të cilat kemi rënë në cikna dimrash
Dhe jemi ngritur në bulim pranverash.

Ditën e parë,
Lavën e Vezuvit
Mbi Zervën me gjithë lukuni
Do ta derdh!

Ditën e dytë,
Zjarrin e plagëve të Tua
Dhe afshin e mallit për Ty,
Në Thyamis vetëm për pak kohë do t’i shuaj,
Jo më shumë se sa të zbardhë e treta ditë!

Ditën e tretë,
Që pa dalë ylli i mëngjesit,
Tokës mëmë,
Si bir i saj tragjik,
Do t’i përgjërohem,
Që fill pas grahmës së fundit
Me dhembshuri mëme
Të më marrë në gji,
Lehtas me kokën drejt Teje
Trupin të ma shtrijë!

Në m’i mbylltë veshët e gojën,
Të mos m’i mbyllë qepallat,
Se sytë nuk durojnë,
Sa bota kanë mall për Ty!

Ndryshe, nuk do të gjej prehje,
Çamëri, mirazh i mëngjeseve,
I mesditave, i mbrëmjeve
Të jetës sime!

Pa rënë muzgu,
Sapo dielli të falet,
Përultas, me zemër në dorë e me lot në sy,
Tokës mëmë
Për herë të fundit do t’i përgjërohem:
Mishin e eshtrat në m’i trettë,
Dhembjen e plagëve të Tua
Dhe mallin për Ty,
Deri në Apokalips të mos m’i cenojë!

Ndryshe, nuk do të gjej prehje,
Çamëri, mirazh i mëngjeseve,
I mesditave, i mbrëmjeve
Të jetës sime. / KultPlus.com

Të ngjajshme