Çdo ditë ti luan me dritën e universit

31 Mars, 2025 - 10:22 pm

Poezi nga Pablo Neruda

Çdo ditë ti luan me dritën e universit.
Vizitore subtile, arrin në lule dhe në ujë.
Je më shumë se kjo kokë e bardhë që e shtrëngoj
si grumbull frutash çdo ditë në duart e mia.

Prej se unë të dua, ti nuk i ngjan askujt.
Lërmë të të shtrij mes kurorave të verdha.
Kush e shkruan emrin tënd me shkronja tymi mes yjeve të jugut?
Oh, lërmë të të kujtoj si ishe atëherë, kur ende nuk ekzistoje.

Papritur, era ulërin dhe godet dritaren time të mbyllur.
Qielli është një rrjetë e ngjeshur me hije peshqish.
Këtu përfundojnë të gjithë erërat, këtu.
Zhvishet shiu.

Kalojnë duke ia mbathur zogjtë.
Era. Era.
Mund të luftoj i vetëm kundër fuqisë së njerëzve.
Stuhia vërtit gjethet e zymta
dhe i lëshon gjithë varkat që ankoruan mbrëmë në qiell.

Ti je këtu. Oh, ti nuk largohesh.
Ti do të më përgjigjesh deri në britmën e fundit.
Struku në mua sikur të kishe frikë.
Megjithatë, nganjëherë, një hije e çuditshme përshkon sytë e tu.

Tash, edhe tash, vogëlushe, më sjell dorëzonja,
prej të cilave edhe gjinjtë të erëmojnë.
Ndërkohë, era e trishtë galopon duke vrarë fluturat,
unë të dua, dhe gëzimi im kafshon gojën tënde prej kumbulle.

Sa shumë do të kesh vuajtur për t’u mësuar me mua,
me shpirtin tim vetmitar dhe të egër, me emrin tim që të gjithë i largon.
E kemi parë shumë herë yllin të digjet duke na i puthur sytë
dhe mbi kokat tona muzgjet tek shthuren në erashka rrotulluese.

Fjalët e mia binin si shi mbi ty, duke të të ledhatuar.
Prej kohësh e kam dashur trupin tënd nënë-margaritar plot diell.
Aq sa më dukesh zotëruese e universit.
Do të të sjell prej mali lule të lumtura, lule zile,
lajthi të errëta dhe shporta të egra puthjesh.

Dua të bëj me ty
atë që pranvera bën me qershitë./ KultPlus.com

Të ngjajshme