25 Tetor, 2019 - 9:57 am
Flamur Foniqi
Pse m’rri heshtur sot babi…
Në mur të ftohtë varur jeton
S’më vjen faqeve një përkdhelje
Dhe në vesh përrallë mungon!
Pse ballit s’më vjen një puthje…
N’dorën e vockël një shtrëngim
S’do mund të ngjitem asnjëherë
Në qafën tënde, heroi im!
Nder buzë të mia, germë e njomë
“Babi” thërret, përherë këndon
Një këngë morti sillet rrotull
Babi im t’i s’më dëgjon!
Po hedh hapin babi, po rrëzohem
Ca krahë si mal s’më përqafojnë
N’këtë botë s’do shihet ecja ime
Nga sy të zinj, që më mungojnë!
Babi m’ke gënjyer për një gjë
E ke bërë shumë shumë rrallë
Bishat qënkan dhe këtu..
Jo siç thoje “veç n’përrallë”
Shtati s’do më rri kështu përherë
Jetë do bëjë por si mjerim…
Anash emrit që ma vure
M’falen tjetrin, m’thanë jetim
Çfarë t’u thotë gjuha ime e butë
Atyre që t’shanë e t’vranë…
Mizorëve që su thotë gjë shprehja
” Babë e bijë kurrë nuk u panë”
Mbi këmishën që ta shqyen…
Njollë e kuqe s’të venitet
Do e lyej me ngjyrë të bardhë
Vajza jote kur të rritet…
Ky trupi im ca pëllëmbë mbi tokë
Atij që s’ndjen i qoftë mallkim…
Kush në lutje t’me jetë pranë
Do jetë përherë ” babai im “
Për një përrallë që the gabim
Kujtoj një tjetër thënë madhërisht
“Heronjt si ti s’janë veç n’përrallë”
I tillë do më mbetesh përjetësisht!
Të shoh të gjallë nder sy të vegjël
Me pavdeksinë një fjalë kam lidhur
“Buzëqeshja jote do e vë në gjumë
Asren e ëmbël, n’botën e hidhur!”