Çiftelia

26 Shkurt, 2025 - 5:01 pm

Nga Agim Vinca

Ia këputën telat.
E shkelën me këmbë.
Shqiponjës së gravuar në të
i vizatuan përmbi një kryq me katër “s”.
Pronarin e saj, rapsodin, e vranë.
Nuk dihet kur dhe si.
(Megjithëse s’është vështirë
të merret me mend).
Dihet se u gjet i mbytur në një pus
tok me të vëllanë e tij mësues.
Shtëpisë ia vunë flakën.
Pastaj të dehur zbrazën shishet
dhe armët.
Kurrë më këtu s’do të banojnë
Zhuj Selmani e Rrushe Rexha – thanë.
As Dervish Shaqa e Shaqë Avdija.
Tutje, e masakruar, dergjej çiftelia.
Pastaj, ashtu siç qenë,
të përjargur e të përgjakur,
nisën të këndonin, të çirreshin,
të bërtisnin.

Por, zë s’kishin.
U rëndonin çizmet në këmbë
helmetat në kokë
armët në sup.
Ortek – bjeshkët
mynxyrë – qielli
skëterrë – toka iu bënë.
Gjersa erdhi një çast që i la krejtësisht
fuqia.

I shitoi – çiftelia!

Të ngjajshme