3 Shkurt, 2019 - 8:25 pm
Poezi për fëmijë nga Tasim Gjokutaj.
Me rrëmujë detyrat
i bëri Besniku,
la fletoren hapur
dhe në lojë iku.
E mora fletoren,
bobo, ç’të lexoj,
në çdo fjalë të shkruar
mungon nga një shkronjë.
Atë ditë Besnikun
e hoqa nga loja:
– Sot, – i thashë, – je ngopur,
se ke ngrënë… shkronja!
– Lërmë, o babi, lërmë,
lërmë të shkoj në lojë,
se s’bëhet hataja
vetëm për një shkronjë!
– Nuk bëhet hataja
vetëm për një
shkronjë?!
Eja, bir i babit,
bashkë ta shikojmë.
Për një d-ë
që ti s’e vë,
fjala derë
bëhet erë
dhe shtëpia
ngel pa derë…
Për një m-ë
që ti s’e vë,
fjala mik
bëhet ik…
(Ç’bën kështu,
more Besnik,
a i thuhet
mikut ik?!)
Shih pa shih,
ka dhe më keq:
për një b-ë
që ti e heq,
fjala bujk
bëhet ujk.
(Bujkun tonë
që prodhon bukë,
për një shkronjë
ti e bën ujk…)
Sytë e Nikut
mbushen lotë…
Do të flasë,
por çfarë të thotë?!
Burimi: filozofia.al