28 Prill, 2021 - 10:54 pm
Nga Arli Minga
Ndodhte çmenduri në sheshin qëndror,
Vriteshin mes veti ndërgjegjet njerëzore,
Me të ardhmen vizatuar mbi mendje të ngrirë
Dhe vragat e shpirtit që lëngonin mbi jetën e shterur.
Ndodhte çmenduri në sheshin qëndror,
A thua të kishte zbritur një tjetër Krisht,
Që ngazëllente me të vërteta të rreme,
Ekzekutimin e një besimi,
Nga kryqëzatat që na i kanë shitur si martirë.
Ndodhte çmenduri në sheshin qëndror,
I Luteshin të gjithë fanepsjes së zotit në trajtë tokësore,
Çirreshin me thonj të gjenin shpëtim,
Pa e ditur se s’ka shërim për flamën njerëzore.
Mbaroi, kaq ishte!
Një kujtim, fotografi a sekuencë e stampuar në film.
Tani ra nata në sheshin qëndror,
U zhdukën gjurmët e çmendurisë djallëzore,
Heroi i vrerosur me hënën mbi shpinë,
Sheh kryqin e thyer dhe Krishtin e Ri,
Që zvarritet me gozhdët e zinxhirët për dore./ KultPlus.com