24 Dhjetor, 2021 - 2:33 pm
Era Berisha
Ambienti i KultPlus Caffe Gallery tashmë është shndërruar në një hapësirë ku letërsia, kultura e arti janë gërshetuar mes vete e kanë zënë vendin e tyre të veçantë mu në mesin e shumë miqve artdashës, shkrimtarëve të cilët kanë një bagazh të mirëfilltë prapa tyre, shkrimtarëve të rinj, entuziazmi i së cilëve dallohej në linjat e fytyrave të tyre, si dhe ekipit të mrekullueshëm të KultPlus.
Mbrëmë, atmosfera poetike futi rrënjët e saj dhe morri përsipër ceremoninë e konkursit mbarëkombëtar “KultStrofa” të organizuar nga KultPlus e që konsiderohet si një ndër konkurset më serioze në nivel mbarëkombëtar, me ç’rast në natën finale të edicionit të katërt u ndanë edhe çmimet e këtij konkursi poetik i cili çdo vit pret poezi krejtësisht të veçanta e autentike jo vetëm nga Kosova por edhe Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi e Lugina e Preshevës, Gjermania, Spanja, Italia dhe Zvicra, shkruan KultPlus.
Por fillimisht, në hapjen zyrtare të natës finale, fjalën e mori moderatori Arbër Selmani.
“Unë me shumë kënaqësi e pranova ftesën që të jam edhe pjesë e jurisë bashkë me profesorin Sali Bashota dhe profesoreshën Nerimane Kamberi, të cilët i kanë vlerësuar këto poezi”, thotë Selmani.
Sipas tij, ky edicion i ka mbledh gjithsej 93 poezi të cilat kanë ardhur në KultPlus pas thirrjes së hapur e më pas ato poezi janë vlerësuar e që në fakt nuk ka qenë fare e lehtë për ta.
“Në edicionin e parë e kemi pasur fitues Ragip Sylën, në të dytin e kemi pasur Arjola Zadrimën dhe në të tretin, fitues ishte Merita Bërdica”, thotë ai.
Tutje, fjalën e mori edhe drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, e cila shprehet tejet e lumtur që edhe sivjet në dhjetëshen finaliste ka emra shumë të mirë.
“Faleminderit shumë që keni ardhur. Faleminderit jurisë për përkushtimin që gjatë këtyre ditëve e kanë dhënë për këto poezi, teksa unë i ndiqja vlerësimet e juaja. Faleminderit krejt poetëve që kanë aplikuar në edicionin e katërt nga të gjitha anët e botës. Edicioni sivjet që po e shënon të katërtin na ka munguar vjet për shkak të pandemisë e që ka ndikuar edhe tek ne. Por, në fakt energjinë e kemi mbledhur sivjet edhe pse përsëri në kushte pandemike. Jam shumë e lumtur që edhe në dhjetëshen e sivjetshme finaliste, kemi emra shumë të mirë por mbi të gjitha poezi të cilat lexuesit e KultPlus-it ende nuk kanë pasur rastin me i pa e që do ti shohin në ditët në vazhdim”, thotë Pajaziti.
Sipas saj, së bashku me ekipin e KultPlus-it, ajo është duke u munduar që të dhurojë maksimunin që gazeta të shndërrohet në opozitën e të gjitha atyre antivlerave që po ndodhin në Kosovë edhe pse kjo nuk konsiderohet fare e lehtë.
“Ky është vetëm edicioni i katërt e së bashku kemi shumë rrugë për të bërë”, përfundon Pajaziti.
Ndërsa, kryetari i jurisë së këtij konkursi, profesori Sali Bashota, e konsideroi punën e KultPlus një punë me plot përkushtim e angazhim të plotë.
“Ne kemi qenë të nderuar që jemi marrë me vlerësimin e punimeve tuaja që keni konkuruar në edicionin e katërt të “KultStrof-ës”, tek një gazetë i cili me punën e përkushtimin e kryeredaktores Ardianë Pajaziti dhe ekipit të saj, është shembull i angazhimit, përkushtimit e vlerësimit të krijuesve por edhe të institucioneve kulturore sepse kjo hapësirë pothuajse që dy vjet e më shumë është ndoshta vendi ku edhe frymëzohen poetët për shkak se shohin një punë të vyer të Ardianës e një punë të vyer e të mrekullueshme të ekipit të saj”, thotë Bashota.
Sipas tij, të vlerësosh poezinë është një ndjenjë e përgjegjësisë së lartë për atë që mendohet të dhurohet një vlerësim sa më objektiv me argumente e fakte që në një mënyrë, kjo konkurrencë e madhe të vlerësohet sa më mirë.
“Poezia është së pari përjetim, pra emocion edhe te vlerësuesi e jo vetëm tek ai që shkruan. Madje, Borgesi ka thënë se i vetmi zhanër që nuk shpjegohet është poezia. Ajo vetëm përjetohet. Andaj, temat, idetë, stilet, motivet, preokupimet, figuracioni dhe elementet tjera përbërëse të poetikës së poezisë janë shqyrtuar nëpërmjet aktit të komunikimit midis jurisë”, përfundon Bashota.
Po ashtu, anëtarja tjetër e jurisë së këtij konkursi, profesoresha Nerimane Kamberi, tregoi se përzgjedhja nuk ishte e bazuar në asnjë lloj elementi tjetër, përveç të bukurës e emocionit.
“Sigurisht që nuk ka më bukur se këto kohë festash që të festojmë me poezi. U tha nga fillimi që jemi profesorë, por me një modesti të vogël, do të thosha se ne jemi edhe poetë. Të vlerësosh është shumë e vështirë sepse në një anë e xhelozon pse nuk dita unë të shkruaj ashtu kurse në anën tjetër ke frikë se e lëndon por fundja ne këtu nuk kemi shiku as nga vjen, as nga gjinia, as nga përkatësia fetare, as nga orientimet seksuale. Këtu vetëm e kemi shiku të bukurën. Fjalën e bukur dhe atë që na ka zgjuar emocione”, thotë Kamberi.
Pas këtyre fjalimeve, më në fund, radha që vargjet të fillojnë të jehojnë bujshëm para të pranishmëve, erdhi. Edicioni i katërt i konkursit të poezisë “KultStrofa”, edhe kësaj here dëshmoi forcën hyjnore të poezisë që fjalë pas fjale, varg pas vargu, bënë bashkë ndjenjat nga më të ndryshmet dhe ato i shndërron në një ylber emocionesh që vrullshëm derdhet në shpirtrat e të pranishmëve e fuqishëm mbizotëron në brendësinë e trupave tanë, për të kapluar kështu çdo qelizë, muskul, venë e arterie tonën.
Para të pranishmëve, poezitë e dhjetë finalistëve të përzgjedhur nga juria e përbërë nga profesori Sali Bashota (kryetar i jurisë), profesoreshës Nerimane Kamberit dhe shkrimtarit Arbër Selmani: Agon Rexhepi, Afrim Demiri, Bekim Shala, Gentiana Bajrami Atashi, Flamur Dardeshi, Liridon Mulaj, Nikas Kaça, Redon Elshani, Shazim Mehmeti dhe Valentina Broja, u vazhduan të lexohen njëra pas tjetrës duke bashkuar kështu poetët nga trevat e ndryshme shqiptare të cilët po interpretonin në dialektin gegë e toskë e po ashtu duke sjell fjalë të vjetra e të ruajtura shqiptare.
Në një mënyrë krejt rastësore, nga vetë autorët e pranishëm, u interpretuan poezitë: “Zbresim shkallëve” nga Afrim Demiri, “Kur njeriu vdes” nga Redon Elshani, “Lama e Pejës” nga Gentiana Bajrami Atashi, “Marrja e shpisë” nga Agon Rexhepi dhe “Mikes” nga Bekim Shala.
Në mungesën fizike të pesë autorëve të tjerë finalistë, redaktorja e KultPlus, Jeta Zymberi lexoi poezinë “Grahme” të Valentina Brojës, gazetarja Era Berisha lexoi poezinë pa titull të Liridon Mulajt, gazetari Uranik Emini lexoi poezinë “Ne” të Flamur Dardeshit si dhe studentja e letërsisë, Edlira Musliu lexoi poezitë: “Faleminderit” të Shazim Mehmetit dhe “Liria” të Nikas Kaçes.
Më pastaj, u ndanë mirënjohjet ndaj poetëve: Afrim Demiri, Bekim Shala, Redon Elshani, Valentina Broja, Flamur Dardeshi, Liridon Mulaj, Nikas Kaca dhe Shazim Mehmeti.
Agon Rexhepi u radhit në vendin e tretë në këtë edicion me “Marrja e shpisë”, ndërsa Flamur Dardeshi u radhit i dyti me poezinë “Ne”.
Autorja Gentiana Bajrami Atashi, fitoi vendin e parë në edicionin e katërt të këtij konkursi me poezinë “Lama e Pejës”.
“Së pari dua ta ndaj një sekret të vogël me ju. Pas një dekade që merrem me poezi, është hera e parë që e hapa sirtatin e letrave dhe vendosa që të marr guximin që ta dërgoj në email-in e juaj duke mos i treguar askujt. Sonte jam vërtetë e emocionuar sepse poezia ime u vlerësua e u zgjodh e para. E pikërisht këtë çmim ia dedikoi motivit të poezisë sime, babait tim, që falë tij jam kjo që jam dhe jam ktu ku jam sot”, tha Atashi pasi pranoi çmimin.
Kështu për të përmbyllur këtë edicion, edhe një herë fjalën e mori drejtoresha e gazetës KultPlus, Ardianë Pajaziti e cila ndau mirënjohjen vjetore për performancë të shkëlqyer në redaksinë e gazetës.
“Asgjë nuk mund të bëjmë vetë. Gjithçka që e bëjmë e çdo organizim që zhvillohet, e kemi dikë në krah e në fakt asnjërin nga ekipin tonë nuk mund ta ndajë sepse të gjithë janë një shtyllë e fortë e imja. Por, këtë vit, këtë çmim vendosa t’ia ndaj një personi që e kam krah të djathtë, Liridona Spahiut”, thotë Pajaziti.
Kurse, përgjegjësja e marrëdhënieve me publikun, Liridona Spahiu, është shprehur tejet e lumtur që është pjesë e një ekipi të tillë.
“Jam shumë e nderuar që punoj në një redaksi siç është KultPlus, e jam shumë me fat që jam afër juve ku momentet më të mira të jetës i kemi ndarë së bashku. Unë jam shumë e befasuar sonte, e në të njejtën kohë edhe shumë falënderuese”, tha Spahiu.
Ndërkaq, ishin shkrepjet e fotografive që dëgjoheshin në çdo çast e meloditë muzikore që vinin nga këngëtari Endrit Rexhepi si dhe vogëlushja Anna Krasniqi, të cilët ëmbëlsisht sollën melodi shqipe dhe jo vetëm. Një atmosferë e pakrahasueshme dhe e mbushur me plot lumturi, dashuri e miqësi, shënoi fundin e kësaj nate të paharrueshme.
‘KultStrofa’ organizohet nga gazeta e parë shqiptare për art dhe kulturë ‘KultPlus’, dhe është konkurs mbarëkombëtar i tëri si ide origjinale e prodhuar nga KultPlus. / KultPlus.com