10 Gusht, 2017 - 4:56 pm
Poezi e shkruar nga Eli Krasniqi. Eli është socio-antropologe, shkrimtare dhe aktiviste.
Me dashtë nuk asht me pasë
Mjafton me e ditë që dy copa qielli
Shohin, vështrojnë dhimbën njerzore,
Durojnë, falen, privohen, falin
As nuk flasin për netët e (sh)qetësisë
Veç zemrën jashtë e gdhendin e gurin brenda
e mekojnë.
Me dashtë asht mos me u shfaqë, veç me heshtë
Zvarrë zvarrë netve si bubrreci në tokën e zezë,
pa hetueshem lindjen e diellit me ndjekë,
për me i pa dy copa kaltrie që vështrojnë,
që reshin, qeshin, vransohen.
Me dashtë asht veç me ndje, nji prani n’ajr
Kur gjithçka përreth n’kristale drite e shndërron.