10 Maj, 2022 - 11:59 pm
Poezi nga Ali Podrimja
Koha është të duhemi,
të kesh besim në mua kur të them: Trime,
të kem besim në ty kur më thua: Trim.
Për kokën time kryeneçe shumë kurthe ngrite,
shumë e pushkët mbushi babai yt, fisi yt,
një mijë e një të zeza kurdise ku do t’ma zije pritën.
E nën një kulm banonim,
nga frëngjia me ditë më peshove,
me ditë lexoja Shekspirin në hijen e Kullës,
se mos do të takoj te kroni i shpresave.
Ma ruaj syrin, dashuria ime,
ma ruaj shpinën nga dielli, nga acari!
Kam frikë se ma therin syrin cubat e territ,
kam frikë se më vrasin pas shpine të pabesët.
Dashuria ime, ma zgjat dorën ta kapërcejmë këtë ujë të madh,
i huaj s’jam as vij nga tokë e vdekshme.
Në fund të livadhit të kositur a po sheh:
ai kali i bardhë është yni tash e përgjithmonë.
Më shikon drejt në sy, lëri zënkat, fjalët, sharjet.
Unë do të sjell Lulen nga zemra e Bjeshkës,
do ta ndez llambën në Kullë,
do ta hedh farën në tokën e re.
Kur të desha, çoje dashuri pas shtatë katundeve
e të rënat të forta i kishe.
Kur më deshe, çoja dashuri me një grua të marrë
e mëhalla jehonte nga shpifjet.
Na iku jeta, trime, si s’menduam pak edhe për vete.
Koha është të duhemi. / KultPlus.com