27 Shtator, 2018 - 7:00 pm
Poezi nga Arian Lek.
Dashuria në vjeshtë është bimë fatkeqe.
Frutat lind nën dhé, në errësirë.
Dhe lulet nuk i rrojnë gjatë, as gjethet.
Fëmijë të thjeshtë, pa bekim, ardhur ditën, ikur natën.
Pagëzuar me ujë të zi dhe me baltë.
Trupi në këtë stinë ka më shumë ngut se sa ngè.
Merr formën e gjilpërës së madhe me një sy.
Hyn edhe del nëpër trupin tënd
Vetëm e vetëm për të thurur një lule të vogël.
Thjesht një lule. Qepur me pe të bardhë. Pa një nyjë apo komb.
Lulet janë krijesa pa arna.
Është i njëjti mundim, thuajse.
Është pothuajse ai mund që i duhet mendjes
Për të kthyer velën drejt mënyrave të thjeshta,
Ku fjala dua vdes për fjalën duhet dhe jo rrallë shkojnë dëm, fli,
Në vend të njëra-tjetrës.
Dashuria në vjeshtë ishte bimë fatkeqe.
Që nga lulja, fruti dhe gjethja mbi të cilën
e gjelbra shkon pa i hapur udhë të blertës.
Dhe ku unë.
Me të vetmen formë që më ka mbetur.
Atë të gjilpërës së madhe, me një sy,
më duhet të futem në trupin tënd të lodhur.
Të qep gjithë sa shqepa vetë
dhe gjithë sa gjeta të shqepur tek ti./ KultPlus.com