5 Korrik, 2018 - 4:24 pm
ASDRENI
Shëko lisi si më flet
Fjalë t’ëmbla si më ushton,
Degët unj e më thërret
Dashuro, se koha shkon!
Maj’ e plepit gjithënje,
Kur tunt kryet më qorton,
Përpjek fletë më çon zë
Djalë ç’pret e s’dashuron!
Er’ e malit me një ushtim
Dhe mburimi që kullon,
Gjithë më thonë plot gëzim:
Dashuro, se koha shkon!
Kopështit vasha që po pret
Si zog pylli që këndon,
Buzëqeshur më thërret,
Djalë ç’pret e s’dashuron!
Mua zemëra gjith më rreh
Brenda gjaku më valon
Ma ndes mallin me ve re
Dashuro, se koha shkon!
Çdo gjë rrotull më pyet
Djalë ç’pret e s’dashuron
Ditët shkojn, jeta shket
Dashuro, se koha shkon!