16 Janar, 2019 - 2:30 pm
Ángel González. Sjellë në shqip nga Erion Karabolli.
Si do të jem unë
kur të mos jem më unë?
Kur koha
ta ketë modifikuar strukturën time,
dhe trupi im të jetë tjetër,
tjetër gjaku im,
të tjerë sytë dhe flokët e mi.
Do të mendoj për ty, mbase.
Me siguri,
trupat e mi të njëpasnjëshëm
– duke më zgjatuar, të gjallë, drejt vdekjes –
njëri-tjetrit do t´ia kalojnë
dorë më dorë,
zemër më zemër,
mish më mish,
atë elementin e mistershëm
që përcakton trishtimin tim
kur ti ikën,
që më shtyn të të kërkoj verbërisht,
që, në mënyrë të pashmangshme,
më çon tek ti:
me një fjalë, atë çka njerëzit e quajnë dashuri.
Dhe sytë
– ç´rëndësi ka po s’qenë më këta sy –
do të të ndjekin pas kudo që të shkosh, besnikë./ KultPlus.com