Dedikuar çdo gruaje që këndimin e pati në zemër, por nuk u dëgjua kurrë…

2 Nëntor, 2017 - 4:24 pm

Poezi e shkruar nga Gylymser Hoxhaj.

Një loke që s’këndoi
Sa kam dashtë mos me hesht për ty,
Kur edhe vetës ia ulje shikimin se këtu ishte tepër vonë më i nxan lindjet e diellit.

Në kullën tande, guri ka mbet më i ftohtë se uji i kroit që s’ma shun etjen e mallit që të dëgjoj kangën tande.
Një dërrasë e kalbur mi përfytyron hapat e lehtë të vallëzimit tënd, kur në oborr binte terri.
Me ato dërrasa ndërtoje urën e fëmijërisë time.

Në atë kullë janë ringjallur rrënjët tua, e kanë marrë udhë meloditë e huaja.
Nga ti rridhte kënga e parë në djepin e fëmijëve.
Zëri yt i mbyllur në dhomën e ftohtë, i qetësonte dhe degët në erë
Por ti kurrë nuk e vallëzove melodinë e shpirtit tënd,
as nuk këndove kurrë, pas ninullave me gjysmë zëri.

Sa shpesh e kam nis vallen e lutjeve për ty, e sa vështirë e kam shu zjarrin e mallkimeve që t’i përshpërisnin.
Aty,
mbi kokën tande varun rrinte pushka,
e nën jastakun tand prehej urtësia e një gruaje që dinte të këndoj,
por që në kullë zëri i saj s’dëgjohej as kur rënkonte nga dhimbja.

Mbi atë gur nise tregimin e andrrës tande, kur fëmijët luteshin vetëm për një këngë.
Pa zërin tënd s’na flihej,
E ty të buzëqeshte fytyra, derisa në bërryl të dorës të mposhte frika.

Kur këndoje,
Ti mendoje se më bukur nuk bëhet në këtë vend,
më bukur nuk u bë më kurrë pa ty.

(Dedikuar çdo gruaje që këndimin e pati në zemër, por nuk u dëgjua kurrë për shkak se zëri dhe kënga e tyre ishte turp për kohën dhe shoqërinë në të cilën jetonin. Shumë prej tyre kanë ikur nga kjo botë pa e çuar as edhe një këngë deri në fund dhe disa ende jetojnë të strukura nën hijen e paragjykimit.)

Të ngjajshme