16 Mars, 2018 - 10:03 am
Poezi nga Agim Vinca
(Made in Prishtinë)
Qyteti fle në zjarr e ethe
Bie e ngrihet në kllapi.
Një hënë e zbehtë rend ndër gjethe
Një hënë si pika përmbi i.
Tri herë në ditë ding-dang kambana
Ia pret hoxha në minare:
Ruana Zot! Allah, Allah
Nga djalli që na qiti fare!
E kush është djalli askush s’e di
Kush është shejtan a pejkamber
Hëna baret përmbi çati
Droja troket derë më derë.
Dremit qyteti e njerëzia
S’i heqin sytë nga ekrani.
Vjen shpëtimtari nga Velania,
Vjen dhe mesia nga Dragodani.
Tri herë në ditë ding-dang kambana
Allahu ekber! – lart në minare:
Ruana Zot e Jehova
Nga djalli që na qiti fare!
E kush është djalli askush s’e di
Kush është mesi e pejkamber
Shtatë protektorë, dyqind parti
Trokasin fort derë më derë.
Hape! – thotë njëri. Hape! – dhe tjetri.
Jam Jezu Krishti, Juda, Shën Pjetri.
Jam Shën Mëria, Parajsa vetë.
Zoti, Mesia, Baba dovlet.
Qyteti ka ethe, afsh e zjarrmi.
Hëna ndër gjethe si pika mbi i./KultPlus.com