3 Qershor, 2018 - 5:00 pm
Federico García Lorca, përkthyer nga Edon Qesari.
Desha të rri ndër buzët e tua
për t’u shuar në dëborën
e dhëmbëve të tu.
Desha të rri mbi kraharorin tënd
për t’u asgjësuar në gjak.
Desha të ëndërroj përgjithnjë
në cullufen tënde të florinjtë.
Zemra jote u bëftë
varrezë e simes në lëndim.
Mishi yt u bëftë mishi im,
balli yt u bëftë balli im.
Do desha që krejt fryma ime
të mësynte në trupin tënd të vockël,
e të isha unë në mendjen tënde
e të isha unë coha jote e bardhë.
Që të dashuroheshe pas meje
me kaq shumë flakërimë
sa të digjeshe duke m’u avitur
por pa më arritur kurrsesi.
Kësisoj të endesh duke sokëllirë
emrin tim matanë diellit,
duke pyetur për mua ujin,
duke pirë trishtueshëm hidhërimet
që la zemra ime atypari
udhës duke të dëshiruar.
Ndërkaq unë do i mësyj
trupit tënd të dashur e të brishtë,
do qëndroj përherë në ty,
teksa ti më kot rrekesh në kërkim
nga Lindja në Perëndim,
der’sa fundi t’na përvëlojë,
flakë e vdekjes t’na bëjë hi./KultPlus.com