Dëshirë

11 Mars, 2021 - 3:36 pm

Poezi nga Jorgo Bllaci

Më vjen turp të qaj i heshtur,
si një shelg përbri moçalit!
Dua të gjëmoj pareshtur
Porsi lisi maje malit.

Rreth kurorës, shpesëria
Le të mos më cicërojnë
Që prej zgavrave të mia
Shkabat të të vigjëlojnë.

Degët e fuqishme dua
të më tunden nëpër erë
Papushuar përmbi mua
borë e virgjër le të bjerë.

Sipër akujve të ftohtë
do të ngjitem der te retë
S’do më vije keq në ndodhte
të zhuritem nga rrufetë!

Se n’u  dashtë të zhuritem
do zhuritem maje malit
Po s’do qaj e s’do nemitem
i përulur, bri moçalit. / KultPlus.com

Të ngjajshme