16 Shkurt, 2018 - 1:45 pm
Poezi e shkruar nga Azem Shkreli.
Ata vetëm do të ç´lodhen pak dhe do të vinë
në kremte tjera, nuk janë përmendore
mendimi të ftohtë në gurë, vallë e dinë
u kishte dhembje plaga apo fitore
kur ngriheshin rishtas dhe rishtas binin
me shikimin para, kushedi se ç´panë
tek përçartë flisnin diçka me Leninin
dhe shikonin para dhe s´dinin se ranë
dhe nuk ranë sepse u kishin lulet hije
ata na i dhanë dheut të etur bukuri
të kuqe, të ngrohtë, jo qumësht shpendarie
ata paqe nënshkruan, nënshkruan liri
liri, ajër të lirë, njerëz të lirë, troje
dhe kot i thërrasim me vargje e këmbora
ata janë dheu ynë i ashtëm që rri roje
bimës sonë, moshës sonë, në çeta, batalione
Ata vetëm do të ç´lodhen pak dhe do të vinë
në kremte tjera, nuk janë përmendore
mendimi të ftohtë në gurë, vallë e dinë
u kishte dhembje plaga apo fitore.