Deti

23 Prill, 2024 - 11:40 pm

Poezi e shkruar nga Fatos Arapi.

I vogël, me pantallona të shkurtra,
me këmbë të zbathura e një këmishë hamaije, që e qepte vetë gjyshja…

Ashtu, darkë për darkë dilja në breg.
Ndër gishtërinjtë e këmbës së ftohte me rridhte rëra.

Unë prisja me orë të tëra,
gjersa përnjëherësh, tutje nëpër fushat e gjera të natës
ngriheshin kope të çuditshme, të panumërta kuajsh të bardhë.

Nëpër hapësirat e pafundme suleshin aradhe – aradhe

Turfullonin

Binin me këmbë të thyera,
rrokulliseshin duke gulçuar nëpër të zezat humnera.

Mbi ta fluturonin të tjerë,
jelet e hakërryera dallgë-dallgë fushën e diellit fshinin.

Hingëllima të frikshme para tyre bridhnin.
Ata vinin, afroheshin drejt meje.

Gjokset e mëdhenj e të bardhë kreshpëronin përpjetë
këmbët e para rrihnin në erë…

Sytë u flakëronin.
Një çast… dhe nën thundrat e tyre do të më copëtonin.
Kur ja, me potere
si një gjëmim i madhërishëm përplaseshin tek këmbët e mia.

Nga flegrat gjigante
miliarda grimcëza të kristalta shfrynin për të fundit herë

Të tjerë hingëllinin nëpër fushat e gjera të natës

Me gëzim e frikë, orë të tëra unë shihja kuajt e bardhë
të suleshin nëpër furtunë.

Thyenin këmbët, rrokulliseshin,
që të vinin sa më parë tek unë
shkelnin, fluturonin njëri mbi tjetrin…

Dhe tani, kudo që jam,
ashtu fantastik e i madhërishëm, më ndjek pas deti…/

Të ngjajshme