10 Maj, 2022 - 10:40 am
Poezi nga Sali Bashota
DETI U HIDHËRUA ME MUA
(Për arbëreshët e mi)
Pa asnjë fjalë
Me plot besim
Pa asnjë rrahje qepalle
Deti u hidhërua me mua
Sepse desha t’ia tregoja
Vetminë e vërtetë të arbëreshëve Bashkë me gjumin e pulëbardhave
Për t’i bartur me varkën e shpëtimit Shumicën e ëndrrave të Motit të Madh Pakon e legjendave të fshehura Misterin e kujtimeve të pashkruara
Që nuk i zbardhte dita
U pajtua edhe Zef Chiaramonte
Se vjershat e mallit kanë “vulë uji”
Atje e pata takuar Marën e Gavrilit
Rrinte në mesin e kopileve të katundit
Pasi lëshoi një ofshamë arbëreshe
Më shikoi drejt në sy
Më pyeti a hidhërohet ndonjëherë deti
Nuk kisha përgjigje
Pastaj bëmë një foto të shpejtë
Bashkë me poetin e Lumit
Ishte vjeshtë e vitit dymijë e tre
Mora vesh se Rina e De Radës
Ende vallëzonte në sheshin e Shën Adrianit
Dy mollët e kuqe i kishte lënë
Te kroi i ri i psherëtimave
Amanet për të dashuruarit
Ta kujtonin puthjen e parë
Pas pak Zef Serembe
Filloi shtegtimin në Sao Paulo
Me një çantë të zezë në dorë
Asnjë dorëshkrim nuk e kishte harruar në Strigari
Askush nuk besonte deri atëherë
Se për dashurinë vdesin vetëm poetët
U pajtuam pa asnjë dyshim
Gjysma e dhimbjes së shkrumbuar
Ishte përtej detit
Gjysma tjetër mbeti këndej
Se kur shkelim në tokë
Nuk do të këpusim më asnjë lule
Shpëtojmë nga uji njëherë e përgjithmonë
Nga zjarri shpëtojnë vetëm lotët
Prapë deti u hidhërua me mua
Nuk thashë asnjë fjalë
Sepse në ëndrrën e pambaruar
Tashmë kishte ikur edhe vetmia
(Prishtinë, 10 maj 2022)./ KultPlus.com