2 Maj, 2024 - 11:56 pm
Poezi e shkruar nga Else Lasker-Schüler.
Mbrëmja puthte mistershëm
Landrën që çelej.
Ne luanim e ndërtonim tempujt Apollo
Dhe kalamendeshim të mallëngjyer
Mes njëri-tjetrit.
Dhe qielli i natës përhapte aromën e tij të zezë
Në valët e gufuara të ajrit të qullur.
Dhe shekujt gremiseshin
Dhe rrafshoheshin
Dhe rreshtoheshin serish madhërisht
Drejt intrigash vezulluese.
Ne luanim me fatin gazplotë,
Me frytet e parajsës së majit,
Dhe në arin e egërsuar të flokëve të tu të kërleshur
Këndova mallin tim të thellë
Britmë,
Ashtu si një zog i zi i pyjeve të errët.
Dhe qiej të rinj ranë përposh
Të papritura, aroma të ëmbla të egra;
Ne shqyem mbulojat
Dhe bërtitëm!
Të dalldisur nga mushti i erërave.
Unë lidhesha me jetën tënde,
Gjersa ajo zhbëhej e tëra,
Dhe pastaj sërish merrte trajtë
Dhe sërish zhbëhej pastaj.
Dhe dashuria shpërtheu në këngë,
Në dy simfoni të egra!/KultPlus.com