17 Shtator, 2024 - 11:44 pm
Poezi nga Arben Duka
Dhe kur zemra të të rënkojë si traktor i vjetër,
E tym të të shpërndajë ngado,
Dhimbje zinxhirësh ti do kesh patjetër,
Por ti mos ik, dhe mos u dorëzo!
Dhe kur këmbët të të rëndohen porsi shkëmbi,
Dhe një hap të mos hedhësh dot si njeri,
Dhe kur gjer në shpirt dhimbja të të dhëmbi,
Ti mos u dorëzo, përsëri!
Edhe kur mesin të ta shtrëngojnë gjarpërinjtë,
Dhe të të kafshojnë e helmojnë ngado,
Dhe kur trupi të të ndizet si thëngjijtë,
Ti prapë mbahu, e mos u dorëzo !
Edhe kur koka të të gjëmojë si tërmeti,
Si miliona djaj të mbledhur ngado,
Sikur nga gjithçka të të mbetet veç skeleti,
Ti mbahu fort, dhe mos u dorëzo!
Kur të japësh dhe frymën e fundit,
E veç një grimë ajri të kesh në mushkëri,
Ti mos u jep prej lodhjes dhe mundit,
Dhe mos u dorëzo, përsëri!
Edhe kur të ta fusin trupin në tabut,
Dhe të të mbulojnë paq me dhè të zi,
Ti prapë thuaji vdekjes : – Ç’më ha një mut !
Mos u jep, dhe kthehu përsëri!