‘Dhe në paqe, dhunohet në një minutë, një fëmijë, një grua, një burrë’

21 Nëntor, 2021 - 6:01 pm

Poezi nga Herman Çuka

këmbana të heshtura
për atë botë të bukur,
nudo të pistë
derdhur sipër aromë epshi
gjaku e dhunimi,
njerëz ju lejoj të shihni
me sytë tuaj, atë
që nuk dëshironi
të më shihni,
ndoshta për shkak të
ngushtimit optik së trashëguar
( përthithur helmin nga përrralla e bukur,
për thesin plot lodra të ndritura, të merry christmas)

nuk dua të ndryshoj botën,thjesht tregoj atë se çfarë
i shoh, poshtë fustanit

mbi Bagdat, Aleph
presin fushat e minuara
në Prishtinë, Srebrenica, Spaç
… presin arkëmortet
pa emër të paisen me kartë identiteti

në Berlin pati rënë muri
i paslufte,
e përsëri tela me gjemba
me këpucë ezilante të vdekura,
me identitete të gjakosura
në ikje…
tymhedhësa e kordone policore
kostitucione që aprovojnë
të rinj, mure…
një grua shqiptare që pat denoncuar, hidhet nga ura Ponte Garibaldi,
me emër çlirimtari

dhe në paqe,
dhunohet në një minutë
një fëmijë
një grua
një burrë

në monitor gëlon një liri e tepruar joshëse fjale,
jashtë buzëqesh cinike
një diktaturë globale

poshtë tablosë,
bota kalonte qetë e magjishme mrekullisht egër,
në heshtjet e saj misterioze
një dritë,
një hije,
një siluetë që lëkundet
mes pemëve skelektrike
nga mungesa e ujit
dhe megjithatë;
aty ishte një fushë e tërë
e minuar prej dashurie,
që priste të shpërthente

e përsëri, në anën tjetër të trinçesë,
një burrë i kthyer nga lufta
ndreq parmëndën e vjetër
një grua lahej ende nudo në një govatë druri,
dhe imagjinonte të minonte detin, që i pati ngrënë të dashurin

një fëmijë pa sy luante me diellin,
rrëshqitur në pellgun e oborrit
një kalë herë hingëllinte pelën, herë ripërtypte barin
nga vit’ i shkuar

por, një horizont pasqyrimi
mbi një çati prej qelqi
qetësonte elementët, ndjesitë,
tërhequr paqen nga qielli

natyrisht e gjithë kjo, ishte dashuri tejet idilike
e pakonceptueshme
për “gratë e burrat”e kopshtit me lojrat virtuale të ngufatura
prej lëngjesh plastike

në një cep tjetër, një botë tjetër e mbushur me dhimbje dhe gëzime të jetës kaloi në rishikim për t’u shkatërruar, menjëherë në passuord-in e ri “meta”
e përsëri dhe këtë vjeshtë,
të gjithë publikonin poezi
me zhartiera purpuri

vetëm një skaj i majave të pemëve, që dilnin jashtë qiellit
të spërkitura nga e bardha e dëborës u hoq menjëherë,
me shpejtësinë e dritës
nga errësira e tablosë
*
“ti hesht, mos shkruaj të tilla
si mësipër..!” / KultPlus.com

Të ngjajshme