’Dimitrij më la’, poezia fituese e festivalit Respoetica

6 Tetor, 2024 - 11:45 am

Poezia ‘Dimitrij më la’ nga Arbër Selmani ka zënë vendin e parë në edicionin e parë të festivalit poetik Respoetica, përcjell KultPlus.

Dimitrij më la

19:48
Dimitrij më la
I erdhi në maje të telave të zërit.

20:31
Të ardhmet tona nuk do të martohen
Më thotë
Ndërkohë përgatit darkën e fundit
Helmin, sallatën, lamtumirën
Fërgon mjerimin tim në sasinë e duhur.

21:00
Nuk jam i duhuri
Burrat nuk dinë çfarë është peshorja
Burrat janë veç lepuj të shpejtë

22:02
Kur keni bërë dashuri duke dënesur?
A e keni parë ndonjëherë një burrë që qan e ju zhvesh me forcë ushtari?

22:08
Bartet loti prej gojës në gojë
E vetmja që do të jetojë
Me të
Është pështyma ime.

03:13
Mëngjesin kur u nisa për në aeroport
Prej qytetit ku nuk ka statujë për ne
Nuk ka vend për ne
Në zgjimin e përbotshëm të vetmisë
Dimitrij hoqi dorë prej meje.

08:30
Kur ishte hera e fundit që një burrë luajti në piano për ju?
A meritoni të ktheheni në partiturë, qofshit grua a burrë?

Përmbajtja e Dimitrit:
Mashkull fin, simfonik
Me prejardhje ukrainase, kërcënues
Zhytur në fjorde, i puthshëm
Seksual sa fytyra e Zotit
Shkrimtar i dy librave
Psikolog çiftesh, tash në tek larg meje
Doje ta ndieje, doje ta pije si ujin e detit.

11:43
Aeroplani mund të copëtohej
E ajri të kthehej në ngulfatje
Veç vuajtja ime është legjitime.

13:00
Dimitrij është poliglot
Ma njeh trupgjuhën, por jo fjalët e dëshpërimit
I them se disa gra jetojnë pa burra
Unë as grua nuk jam, as burrë nuk kam.

15:28
Sa zgjime i keni pasur me një burrë që ju puth ballin?
Sa sy të gjelbër e kanë tronditur zemrën tuaj kozmike?

17:45
E kanë frikësuar ilaçet e mia
Është çuditur që shpesh bëj gjumin pa i larë dhëmbët
I thonë që vlej, meritoj të jem me të
Por ai nuk ka kohë, koha nuk na e ka atë
Dhe dhoma e tij s’na ka asnjë.

19:19
Dimitrij u largua, mbërthyer si morsë
Burrat japin pak, e shumta ndonjë puthje mediokre
Plaga e çarë më hapet
E imja çehre plaket.
20:06
Dimitrij, ti je veç një fëmijë që nuk pranon të përkëdhelet.

20:07
Dimitrij, më fal. Jam tepër klishe.

21:00
Nëna po e fal jacinë
Nuk e ka idenë kush je ti, Dimitrij
Nëna ime as mua nuk më njeh, sakaq qëndron stoike
Ti, ti Dimitrij nuk pranon që edhe dashuria është fe.

22:41
Dimitrij më la
I erdhi në maje të hundës
Varfërohet njeriu kur burri ta kthen me sëpatë
Është koha e gjumit
A ka një vend ku mashkulli nuk ka drojë?

23:00
Le të flemë të ndarë, Dimitrij, është natë.

*Fotografia: Ferdi Limani / KultPlus.com

Të ngjajshme