27 Tetor, 2017 - 5:22 pm
E shkruar nga Teki Dervishi
Në çdo fund të vitit shkollor të fëmijërisë sime Kanë munguar nxënësit që janë mbytur në Lumin e thellë
Unë siç shihni ende jam gjallë.
E prita edhe këtë verë
Në këtë fund të vitit shkollor mungojnë disa arsimtarë
Tashmë janë tharë.
Ra zilja e mbramë.
Të gjithë pse qajnë?
Unë dal oborrit të shkollës mbuluar me barin e njomë
Jo nata që më zë në atë rrugë deri te dera kah largohem
Më zë mosha ime. Pikëllimi.
Kori me këngën për dëshmorë pse s’kanë lozur fëmijët – barin e njomë ta shkelin oborrit?
Ata s’duan më të jenë lojtarë, por ushtarë të UÇK-së Buza e tyre e njomë me shkrumbin e dhembjes i fotografon Kanë shenjë Saturni.
Nëse arrijnë të plaken, vdesin të njomë!
Si luftoj unë që mendoj se fjalët ta hanë kokën shqim?
Unë nuk kam kujdes kur flas.
Gjuha m’shtin në flakë
Kur shkruaj unë nuk flas, dikush me pëshpërit në vesh
Mos u frikëso! Futu në zjarr! Mos u sill rrotull zjarrit!
Mos e aktro dhembjen! Mos e aktro vetminë!
Mos u shtir! Por fjalët e rrezikshme ende nuk më vranë.
Jam gjallë
Kush mund të më besojë? Kush beson se ka trima të gjallë?
Një herë ndodh çdo gjë! Të tjerët ta përsërisin fatin!
Unë ia dal të mendoj: nëse vazhdojnë t’i vrasin fëmijët
Ç’t’i them moshës sime?
Të ngushëllohem me fjalë t’rrezikshme
Të hyj në flakë me fjalët trime, apo me trupin tim – me kokë?
Kush thotë e jap kokën për Atdhe, gjuha i flet n’gojë e gjallë
Heronjtë s’flasin, veç kur m’i përshpërisin në vesh këto fjalë!
Ra zilja e mbramë. Fëmijë të vdekur mungojnë. Mungojnë arsimtarë
Lumi i Thellë i fëmijërisë sime i merr, apo
Mali në Veriun e Thellë
Çdo gjë është vjetruar.
Çdo gjë që përsëritet.
Vetëm fëmijët tanë Dhe, varret e gjyshërve – habiten si nuk na ka hije mosha jonë!
Nëse keni duruar robërinë, na lini neve rrugë kah parajsa, thonë.