8 Qershor, 2024 - 7:31 pm
Shkruan: Dritëro Agolli
Ditë e mahnitshme!
Lulet lahen me vesë,
Kuajt hingëllijnë e lopët pëllasin për viçat,
Shtërgu në plepin pa majë rri mes folesë
Dhe trëndafili i bardhë fsheh spicat
Fletëve të dendura nën kurorat me palë,
Ndërsa këndezi mburret, se tej nga plevicat,
Mposhti një natë, megjithse ngadalë.
Ditë e mahnitshme!
Duket sikur kësaj dite, që herët me natë,
Zoti kishte mbaruar të gjitha krijimet
Dhe nisej tani drejt një pushimi të gjatë
Majë Tomorrit diku në burimet,
Ose atje në Kulmak në barakë
Pa gjë në trastë,
Pa skicat, pa zhgarravitjet, pa vizatimet,
Veç me peshqirin e bardhë në qafë.
Ditë e mahnitshme! /KultPlus.com