22 Maj, 2022 - 10:36 am
Poezi nga Agim Vinca
DITËLINDJA
Në Paris, rastësisht, i mbusha pesëdhjetë e sa vjet.
Tani jam një vit më i madh se Naimi,
dyfish më i moshuar se Migjeni
dhe – mjekërbardhë si Lasgushi.
Për ditëlindjen time
pimë nga një gotë verë
me Veronikën nga Kili
dhe Mihain nga Bukureshti.
Ç’rastësi!
Të tre kemi njohur nga një diktaturë
(unë dy a tri)
dhe kemi ëndërruar botën e lirë.
I cakërrojmë gotat dhe themi:
Gëzuar!
Secili në gjuhë të vet;
në Paris, në botën e lirë
(A thua, vërtet?)
Në ditëlindjen time të njëqindepesëdhjetë!./ KultPlus.com