16 Shtator, 2023 - 7:00 pm
Poezi nga Nâzım Hikmet
Ditët zgjasin gjithnjë e më pak
shirat do t’ia fillojnë.
Dera ime, krejt e hapur, të ka pritur.
Pse u vonove kaq?
Mbi tryezën time, ca speca jeshilë, kripë, bukë.
Kët’ verën që kam ruajtur në kanë
e kam pirë gjer në gjysmë, fillikat, duke pritur.
Pse u vonove kaq?
Ama shiko mbi degë, të pjekura, të thella
frutat përplot me mjaltë.
Do të binin përdhé pa i mbledhur kush
nëse do të vonoheshe edhe më.
1948
Përktheu: Edon Qesari / KultPlus.com