Do pendohesh…

27 Shkurt, 2019 - 6:04 pm

Nga Arli Minga

Do pendohesh, unë e di,
Jo për mua, po për ty,
Do pendohesh për gjithçka t’u dha,
Që ishte për një, se mbanim dot të dy.
Për mëngjesin që në dritare sillte një rreze,
Që sytë t’i çelte butësisht,
Për dëshirën që të ngrinte me furi …
dhe shtratin ku mëkatove djallëzisht.

Do pendohesh, unë e di,
Jo për mua, po për ty,
Për vargjet që veç me prani i shkrove,
Që tani do mblidhen, do ngurtësohen,
Çengel do të bëhen në fyt.

Do pendohesh për atë kohë, unë e di,
Kur tinëzisht mes syve përçove,
Shpresën e ethshme qiellore,
Filizin e farës që mbolle,
Me epshin e zjarrshëm e dogje.

Do pendohesh, ah për dreq, do pendohesh,
Për gotën që vet e gatove,
Me duart e brishta kur e solle,
Të dorëzuar më bëre ta gëlltis,
Gllënjkën e pijes vjeshtore.

E kur ndonjë ditë në duar të mbash botimin,
Vargjet e lira që shkrove ti,
Mos u përhumb shumë pas metaforave,
Se do të përndjekin,
Zinxhira krahgjatë do të bëhen,
Ah o dreq, i shkreti ti!
E kur vargjet çengel fytin të ta gërvishin përsëri,
Strofat kraharorin të mbështjellin,
Të ta marrin frymën dëshpërimisht,
Kur fletët për fundin të binden,
Ti do e gjesh një mënyrë,
E do shpëtosh sërish…

Por,
Dot nuk do e harrosh,
Në mos e ke kujtuar,
Nuk do i fshihesh dot,
Në mos të ka kapluar,
Do pendohesh me gjithë shpirt,
Në mos je penduar,
Për çastin e gjunjëzimit sublim…

Të ngjajshme