23 Shtator, 2022 - 8:19 pm
Poezi nga Arbër Selmani
Do të zgjohem një ditë
një të diele me mëngjes të beharshëm
dhe pa fjalë
në vend të jogurtit do të të jap helm
do t’i lash dhëmbët me lëng sapuni
ujin e vaktë do ta bëj akull të ngrirë
me krem për shputa do të ta lyej fytyrën
dhomën do ta ngjyros veç të t’i dëmtoj sytë
do të rrëzohesh në pragun e derës mbushur me thika
masazhën e qafës do ta kesh fërkim me goditje
Diellin do ta kthej në 1000 re që pluskojnë me nervozë
do t’i ushqej me kujdes krejt alergjitë tua
nektarinën e butë të pasdites do ta shndërroj në ftua
brenda këpucëve do të gjesh iriqët e egër
do ta vras me ëmbëlsi çdo ndërrmarje, çdo ide, çdo veprim tëndin, çdo vepër
në frenat e veturës, ka diçka që gjithsesi nuk ndalon
në vend të ilaçeve, kutitë do t’i mbushi me mbetje të lumit të ndyrë
terrinë do të gjesh aty ku kërkon ngjyrë
nje gjullurdi do të jetë këndi ku ruan trofetë e jetës së fituar
do ta ç’orientoj gëzimin, ekzistencën tënde të sistemuar
mykun e ke poshtë shtratit, mbi të, në jastëk brenda
do t’i përzë shokët, do t`a copëtoj krenarinë
në ëndrrat tua kam ndjellur ardhjen e qindra insekteve
propolisi yt për fyt tash është lëndë djegëse.
Gjithçka do të jesh, por jo një mundës
një të diele do të shpërthej,
se më ka ardhur në maje të hundës. /KultPlus.com