Dola sot ta takoj veten

1 Mars, 2025 - 5:14 pm

Poezi nga Serafina Lajçi

Dola sot ta takoj veten
atë hije të zbehtë në pasqyrë
që ecën me mua, por kurrë s’më flet
një e panjohur brenda lëkurës sime.

E gjeta ulur në një cep heshtjeje
me duart e zbrazëta dhe sytë plot plagë
me gjurmë netësh të gjata mbi ballë
dhe thinja që s’ia mbaja mend.

“Më ke harruar,” – më tha –
“më ke lënë në strehën e kujtimeve,
ku vitet grisen si letra të vjetra,
ku zërat shuhen dhe ëndrrat pluhurosen.”

Dhe unë heshta.
Si t’i flisja asaj që dikur isha?
Si ta përqafoja pa ndjerë faj?
Si t’i kërkoja falje vetes që lashë pas?

Ajo buzëqeshi me ironi.
“Koha është një mik i pamëshirshëm”- tha
“Më ka ndryshuar, më ka skalitur,
më ka bërë të jem një kujtim i turbullt për ty.”

Pastaj u zhduk mes hijeve,
dhe unë mbeta me veten time të re:
një tjetër maskë, një tjetër hije,
një tjetër e panjohur në pasqyrë.

(1 mars 2025)/ KultPlus.com

Të ngjajshme