7 Nëntor, 2017 - 10:47 pm
Poezi të Erenestina Halili nga libri “Bibulz”
Dritë e synit
T’randoi ai qerpik,
pa mujtë m’e hapë, me m’thanë :
– Nanë, erdh Ora!
Nuk e dveta Zotin tem:
– Pse?! Pse?! Pse?!
Se nân qerpik m’the:
– Nanë, mos dvet…!
Unë iu binda fjal’s tande,
Zotit tand e temit…!
Kajherë, dritë e synit tem,
mall po kam me t’pâ,
me t’rrokë,
me ta puthë at sy qerpikgjatë,
terr si mbramja e të hânës…
Paj, dert mos ki!
Njatij tandit e temit,
njaty nelt,
nuk mundem m’i mbajtë m‘ni!
N’lutje t’mban nâna n’gjí…
Toke
E tokim godën për orët tona,
tόke me nânën!
E tokim për fjalët netëve të vona,
tόke me nânën!
E tokim për numrat shkue pa ârdhë,
tόke me nânën!
Për rininë qi t’qendisi ballin,
tόke me nânën!
Për gazin tand qi m’shuen mallin,
tόke me nânën!
Për jetët si ti, qi qiellin bâjnë belì,
tόke me nânën!
Për nanat, qi lodin e pijnë si Ú,
tόke me nânën!
Për na qi jena n’qiell e frymojmë njetu,
tόke, bir me nânën!
T’kam gjetë dhimtë,
mâ e mira dhimtë!
T’pritsha e t’paça!
Dashni e mbitë…
Du me t’pâsë ngát
Du me t’rrokë gërmën e fundit,
du me t’dhânë brymën e synit,
du me t’pâsë ngát.
Du me t’qafë tjetrin ngat unit,
du t’mâtë kâmbët e shpirtit,
du mos me t’pâsë larg.
Du me t’mârrë heshtën e plâgës,
du m’ju gjegjë dvetjes së natës,
du me t’pâsë ngát.
Du me m’dhânë zgjimin e ândrrës,
du me kenë nânë prej Nânës,
me t’pâsë, mâ ngát se ngát.
Du me t’pâsë ngát, du me t’pâsë ngát,
du me t’pasë forcë, du me t’pâsë bindje,
du me t’pâsë n’bark.
Tempull
Grue,
mos e len tempullin tand t’shembet,
mos i len kolonat t’rrëzohen n’dhè,
grue,
pa tempullin tand, nuk ka qiell e tokë,
pa tandin tempull, s’ka me pâsë as ne.
Grue,
ti je lira e mâ t’çmueshmes melodi,
je ti bërtháma, qi tretet me rrit pemë,
grue,
kuqlimin e gjakut tand ia fal prandìmit,
lulëkuqën farë, m’e rritë n’ditë g’zimit.
Grue,
gjâ mâ t’hijeshme s’ka kqyrë njaj sy,
je bulëza, fryma, buka, shenjtnia n’ty.
Grue!
Tempulli i kohnave, bâmun dy!
Andante
Ikjet janë tela t’viol’s,
zâulta, t’mbyllta
rr’rrshqasin n’shpatull katër herë,
n’ t’ katërtin tel…
Ikjet janë violë n’katër tela,
t’ambla si puthja n’faqen Sol,
t’pazhurmta si tingull n’odë,
si dora e motrës n’shpatull,
e butë,
e âmbël,
si motër.
Zâulta,
t’mbyllta,
rr’shqasin n’shpatull…
Ikjet janë Sol, violë…
Ikjet janë fill viole,
prej gjorgut t’Kostandinit,
janë frymorë druni,
t’zbardhun telash n’jele trungut,
t’buta,
t’âmbla,
t’rrshqasin n’shpatull…
Ikjet janë Sol, violë,
janë Do maxhor ikjet, violë…
Ikjet, janë kadencë
tuj pritë violën,
t’butën,
t’âmblën,
t’pshtetunën n’shpatull
violë…/KultPlus.com