Duke e krijuar vetveten

12 Shkurt, 2018 - 12:15 pm

Ragip SYLAJ

Ke ardhur këtu nga një pikë (çuditje)
Me paralajmërim por pa trokitje
Je rrahur nga dallgët je pjekur nga dielli
Ke kaluar humnera që i ka nënqielli
Ke hapëruar mbi frikën e mbi dhembjen
Duke gjakuar të drejtën
Duke urryer të shtrembëtën
Duke ushqyer virtytin si dënim të vetes
Duke ëndërruar përsosmërinë
Duke i dhënë ujë etjes

Në rrugë në shtigje fati
Kërkove Pemën e Jetës
N’ecjet depresive s’e pive ujin e Letës
Të tundoi e pambërrishmja
Si kërkimtar e lakmues bukurish
Të sprovoi e pa sprovueshmja
Në leqe hyjnish
Pastaj ia the këngës pa zë
Në heshtjen e thellë sa deti
Si aed antik e me gjëmë poeti

Më vonë një tronditje
Nën këmbë ta lëkundi Dheun
Ti që kishe luajtur Sizifin
E kishe imituar Anteun
Para se të vdirreshe
Mësove ta vlerësosh jetën
Dhe si alkimist shestove
Ta rikrijosh vetveten

Bëj të kumbojë muzika e sferave
Në skaj të kësaj bote
Dhe mundëso të gjelbërojë
Brenda teje shkretëtira jote
Ndaj rritu nga fillimi
Me të lartin synim
Ta shpëtosh vetveten
Dhe botën Amin!/KultPlus.com

Të ngjajshme