12 Mars, 2019 - 11:00 am
Bajram Mjeku
Qe tridhjetë vjet të pres Zonja Pritje
thonë je ndryer e vetmuar në ishull
ndjej që pikëllimi të rëndon mbi qepalla
atje ku s’ka diell, ka veç shi e mjegull.
Nëse vjen mund të humbësh udhën
tash ka emër të ri Sheshi i Republikës
as Tre Sheshirat nuk ekzistojnë më
gjithçka ndryshoi mes pritjes e frikës.
Më janë thinjur flokët, ndoshta edhe ty
të janë zbardhë gërshetat nga pritja e gjatë
asgjë s’kam ndryshuar, jam ai i ndjeshmi
i heshturi, i urti me vështrim të ngrohtë.
Ndoshta bën mirë që s’vjen asnjëherë
askush lexon libra, as dëgjon më rock
shqiptarët janë shkërdhyes të atdheut
edhe shtëpitë i ngrejnë me kulme teposhtë.
Leksionet e estetikës më vijnë në kujtesë
kur e bukura shtrinte mbretërinë e saj
ishim ëndërrimtarë e kurrë nuk besonim
se na zapton shëmtia plot trishtim e vaj.
Eja Zonja Pritje të çmallesh veç një herë
nëse pendohesh, prapë nxjerr flatrat dhe ik
gjithçka të bukur moti e kemi zhbërë
veç bredhit në oborrin e Fakultetit Filologjik. / KultPlus.com