16 Tetor, 2018 - 12:41 pm
Poezi nga Bujar Meholli.
Rrugëve kryq e tërthor u rashë,
në çdo kthesë shkova
në çdo vend zhbirilova,
për pak miqësi.
Gjë nuk gjeta!
Por nëse buzëqeshja e rreme
quhet miqësi,
të tilla mora çdokund.
Ata po ia thoshin këngës,
kur unë këmbëzbathur,
u afrova dhe më thanë:
— Shoku, këtu s’je i ftuar
kështu që bën mirë të largohesh.
M’i rrahën krahët miqësisht, teksa më përcollën…
Kudo më shoqërojë buzëqeshja,
edhe kur me vajzat u takova.
Buzëqeshjet e sheqerosura,
ato m’i përplasën fytyrës,
dhe me njëfarë keqardhjeje
tërë kohën më panë.
— Vogëlush, tekefundit je mjaft simpatik, por s’ke çfarë kërkon këtu, më thanë njëzëri…
Nëpër orët e stërzgjata,
të kaluara në vetmi,
shpeshherë vrisja mendjen;
ç’duhet të ketë njeriu për të zënë miqësi?
Kur ja, fare pranë meje kaloi një manjat, mesa duket,
prapa të cilit dyzinë njerëzish vraponin;
atëherë e mora vesh, sesi mund t’i zësh miqtë,
gjersa po ecja poshtë rrugës me duart në xhepat e frakut tim të leckosur…
Prishtinë, 2018./ KultPlus.com