17 Nëntor, 2018 - 10:48 pm
Poezi nga Sali Bashota.
Sytë e kaltër e zgjojnë portretin tënd
Në çastin e melankolisë së gjatë
Doemos çdo gjë më bie ndërmend
Edhe ëndrra më e bukur në mesnatë
Ndoshta zjarri yt mbetet i mbërthyer
Sikur Laura e Petrarkës kur dashuron
Aty përsëritet etja e përkryer
Sa herë shikimi yt befas më rrethon
Vjeshta i shkund gjethet pa lëshuar zë
Qepallat lotojnë deri në fund të ikjes
Sikur Beatriçja e Dantes që s’hesht më
Sa herë drithëron motivi i pritjes
Sytë e kaltër e zgjojnë mallin për ty
Meqë vërtet je e bukura e perëndisë
Buzëqeshjet shëmbëllejnë vetëm me poezi
Si engjëj me flatra të dashurisë. /KultPlus.com