E ende jam grua

20 Mars, 2019 - 5:18 pm

E ENDE JAM GRUA
(monologu i një të dhunuare)

Në trupin tim kam plot gropa të thella të zeza 
Mbushur helme mbushur pështymë 
Vizatuar çizme fashiste
Zgjerohen si gojë çorapësh të qelbosura 
Deri në zemër prekin plagët
Çdo mëngjes shembin shikimin tim e më errin ditën
Netëve si gojë të ndyra të padhëmbë 
Nxjerrin zëra klithës të nëndheshëm
Unë rrotullohem viteve, rrotullohem dyshekut
Duke provuar t’ mos i zgjoj kujtimet 
Se ende jam grua unë
Dhe lëkura ime ka memorie të fortë 
Kafshimet e marimangës së zezë
Pëlcasin turpshëm si kallo mbushur ujë fekal
Kafshimet shovene që e bën gjak gojën dheut
Ditëve kur bombat shpërthenin lirinë 
E unë ende jam grua besoni, jam nënë
Në gjirin e kafshuar nga marimanga e zezë
Thithë qumështin biri im….

Dije Demiri Frangu

Të ngjajshme