24 Dhjetor, 2022 - 3:55 pm
Poezi nga Pablo Neruda
E humbëm edhe këtë mbrëmje.
Askush nuk na pa të zënë për dore
kur muzgu i kaltër binte mbi botë.
Nga dritarja unë pash’
lodrimin e perëndimit mbi kodrat e largëta.
E pastaj, si një monedhë,
një copëz dielli u përndez në duart e mia.
Të kujtova ty me shpirtin e ndrydhur,
me atë trishtimin që ti ke njohur tek unë.
Ku ishe ti në atë kohë?
Me ç’njerëz?
Çfarë fjalësh u thoshe?
Oh, pse më ndodh kështu: dashuria shpërthen përnjëherësh,
kur jam i trishtuar dhe kur ti je larg?
Libri që marr të lexoj mbrëmjeve më ra nga duart
dhe te këmbët e mia, si një qen i plagosur, u rrotullua perëndia.
Gjithnjë, gjithnjë sapo vjen mbrëmja ti ikën,
deri ku muzgu bredh duke tretur statujat. /KultPlus.com