15 Maj, 2021 - 4:28 pm
Poezi nga Nerimane Kamberi
Këputa një krah jorgovana në oborrin e kojshisë
Do t’i mbushi vazot në gjithë shtëpinë.
Në qytet kanë filuar të vyshken
E te ne në katund sa kanë çelë.
« Këtu është ma ftohtë « më thotë burri
Normal, mali rreze shpisë , lumin e shoh nga dritarja e kuzhinës
Ku po e pjeki piten me hithra.
Lulet mbyllen atje e lulet çelin këtu,
Kam ndjenjën që po i jetoj dy pranvera
Sikur me i pas dy jeta,
Athua qysh e kisha jetuar të dytën
Me të njejtet gabime, me të njejtat dëshira?
E me shumë dashuri ? A me më pak ?
Se edhe dashuria është vuajtje,
E unë nuk jam kaq e fortë.
Vetëm një jetë e kemi,
E ti, eja ta pijmë një gotë, edhe një, edhe një,
Të dehemi e të sillemi në barin e njomë, këmbëzbathur,
Si dervishët rrotullues.
Një jetë e kemi, a nuk e morëm vesh që një vit ?
E ti kur do të dalësh nga ai vend ku po mundohesh ta shërosh shpirtin e trazuar
A po vjen ta pijmë një gotë,
Ti vetë më the që e do jetën shumë,
E mos gabo të bësh ndonjë budallallëk,
Eja, këtu më gjen.
E pastaj nisemi në udhëtimes tona rreth botës
Veç një jetë e kemi./ KultPlus.com